IPKO DHURON FONDE PËR BLERJEN E PESË INKUBATORËVE TË RINJ NË QKUK
Në 5 vjetorin e telefonisë mobile, IPKO ka dhënë kontributin e saj për t’i ndihmuar foshnjat e lindura para kohe, dhe uljen e shkallës së mortalitetit në repartin e neonatologjisë në QKUK.
Prishtinë, 21 dhjetor 2012 – Në vend të dhuratave për klientët e saj të biznesit, të cilëve çdo fundvit u dërgon dhurata si shenjë falënderimi për bashkëpunimin afatgjatë me kompaninë, këtë vit, në 5 vjetorin e telefonisë mobile, IPKO ka vendosur që ta mbështesë 'Fondacionin për Nëna dhe Foshnje të Shëndosha’ në blerjen e 5 inkubatorëve të rinj për Njësinë Intensive të Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e cila shërben si qendër kombëtare për trajtimin e foshnjave të lindura para kohe.
“Prej momentit të parë që menaxhmenti i kompanisë IPKO është njoftuar për nevojën e blerjes së 5 inkubatorëve të rinj për Njësinë Intensive të Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Fondacioni ka marrë mbështetjen e plotë nga IPKO për sigurimin e pajisjeve të cilat foshnjave të lindura para kohe u siguron fillim normal të jetës, ndërsa prindërve të këtyre foshnjave, një fëmijë të shëndoshë dhe të zhvilluar mirë. Me avancimin e mëtejshëm të repartit të foshnjave të lindura para kohe, IPKO gjithashtu kontribuon në uljen e shkallës së mortalitetit të foshnjave kosovare” ka thënë Drejtoresha e Fondacionit për Nëna dhe Foshnja të Shëndosha, Indira Hoti.
Iniciativa humanitare e cila përmirëson kujdesin ndaj foshnjave të lindura para kohe, është mbështetur dhe mirëpritur nga të gjithë klientët e biznesit të kompanisë IPKO, të cilët e kanë mirëpritur vendimin e kompanisë telekomunikuese.
“Përveç ndikimit pozitiv në ekonominë e vendit, me operimin e saj në tregun kosovar IPKO gjithashtu synon që të ofroj kontributin e saj për përmirësimin e mirëqenies së komunitetit lokal, e posaçërisht në rastet kur nevojitet mbështetje për shëndetin dhe edukimin e fëmijëve” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në kompaninë IPKO.
Në Klinikën e Neonatologjisë trajtohen të gjitha foshnjat me rrezik të lartë, të cilat lindin kudo në Kosovë. Prej tyre, rreth 1100 foshnja në vit lindin para kohe dhe për të mbijetuar kërkojnë kushte shumë specifike.
“Bashkëpunimi mes IPKO-së dhe Fondacionit, për Klinikën e Neonatologjisë ka një vlere të veçantë sepse ndihma shkon direkt të populacioni më i dobët - foshnjat e lindura para kohe” ka thënë Mynevere Hoxha, Shefe e Njesisë së Kujdesit Intenziv Neonatal.






