IPKO MBËSHTET PROJEKTET E 20 SHKOLLAVE PUBLIKE NË FSHATRA

Sot, në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, IPKO e ka lansuar projektin e saj të përgjegjësisë sociale për mbështetjen e kërkesave të 20 shkollave fillore publike në fshatrat dhe komunat e ndryshme të Kosovës.

Për çdo shkollë të përzgjedhur, mësuesit, nxënësit, dhe drejtuesit e shkollës e zgjedhin projektin më të rëndësishëm për shkollën e tyre, ndërsa IPKO e realizon atë. Vlera e një kërkese nuk e tejkalon shumën prej 1000 euro.

Kërkesat e shkollave të cilat IPKO i realizon, përfshijnë projektet për për art, shkencë, libra, gara mes nxënësish, blerje të pajisjeve elektronike për përmirësimin e mësimdhënies (laptopë, projektorë, mikroskop), projektet për përmirësimin e kopshtit të shkollës, përmirësimi e kushteve në klasa (ngjyrosja e klasës, blerja e perdeve, tepihëve, rregullimin e ambienteve të shkollës, etj).

Deri më tani, në bashkëpunim me shkollat dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, IPKO i ka realizuar projektet e shkollave në vijim:

  • Blerjen e lodrave të kopshtit – shkolla “Hasan Prishtina” fshati Busavatë, Kamenicë
  • Rregullimin e kopshtin të shkollës “Shkëndija”, fshati Hajvali, Prishtinë
  • Ndërtimin e fushës së sportit në shkollën “Ramiz Cërrnica”, fshati Gumnishtë, Gjilan
  • Renovimin e klasave në shkollën “Jahë Salihu”, fshati Molliq, Gjakovë
  • Pajisjen e bibliotekës së shkollës me libra dhe enciklopedi –  shkolla “Dëshmorët e Kombit”, fshati Vraniq, Suharekë

Deri në fund të vitit 2014, IPKO do t’i realizojë edhe 15 projekte të shkollave të përzgjedhura në komunën e Suharekës, Gjakovës, Gjilanit dhe Prishtinës.

“Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është mbështetja e fëmijëve në zona rurale dhe zona më pak të zhvilluara, për ofrimin e kushteve më të mira për fëmijët që ndjekin arsimin e detyruar, stimulimin e të menduarit krijues mes fëmijëve, dhe zhvillimin e njohurive themelore rreth shkencës dhe shoqërisë, në mënyrë që ata të mos shqetësohen për nevojat themelore për shkollim, edukim të papenguar nga varfëria”  ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO.

IPKO është e përkushtuar që iniciativën e saj për mbështetjen e shkollave në zona rurale ta vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e arsimit të obliguar dhe uljen e shkallës së analfabetizmit. Këtë vit, IPKO do t’i investojë 20.000 euro për mbështetjen e projekteve në shkollat e fshatrave.

Përshëndetje! Si mund të ju ndihmojmë?

Facebook
Live Chat
Whatsapp