IPKO NDËRTON RRJETIN E FIBRIT OPTIK NË TËRË KOSOVËN

E vetëdijshme se kontrata me PTK-në për marrjen me qera të fibrave optik do të përfundojë në mes të qershorit 2012, IPKO ka ndërtuar infrastrukturën e saj me fibra optik në të gjithë vendin, në një afat rekord kohor.

Për më pak se nëntë muaj, IPKO ka arritur të ndërtojë rrjetin e saj bazë të fibrave optik me 400km fibër brenda Kosovës. Ky investim është bërë pas njoftimit të pranuar nga Post-Telekomi i Kosovës (PTK), e cila ka njoftuar se do të ndërpres kontratën për qera-dhënien e fibrave optik, në një pjesë të së cilave IPKO ka qenë e varur.

“Pas pranimit të njoftimit për ndërprerje të kontratës për qera-dhënie të fibrave optik nga ana e PTK-së, ne menjëherë kemi filluar të ndërtojmë kapacitetet tona vetanake për tu pavarësuar në rrjet, dhe për të përfunduar projektin strategjik i cili sot e optimizon rrjetin tonë në tërësi, dhe na mundëson ofrimin e teknologjive dhe shërbimeve të avancuara në tregun tonë, dhe më gjerë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i kompanisë IPKO, Robert Erzin, duke sqaruar nevojën për për investimet kapitale të kompanisë në rrjetin e saj optik.

Krahasuar me kapacitetet e vitit të kaluar të marra me qera nga PTK, këtë vit ndërtimi i kapaciteteve do të përfundojë me 96 linja të fibrit optik dhe 600km infrastrukturë, dhe me këtë, IPKO në tërësi do të pavarësohet nga linjat e fibrit optik të marra me qera nga Post Telekomi i Kosovës.

“Bashkë me lidhjet optike me Maqedoninë, rrjeti ynë i fibrit optik do të lidh Kosovën me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Mali i Zi, për të vazhduar lidhjen me infrastrukturën moderne të telekomunikacionit me Evropën, përmes Sllovenisë”, ka vazhduar më tej Erzin.

Përveç faktit se i gjithë rrjeti është ndërtuar me kompani lokale, gjë që ndikon në zhvillimin ekonomik lokal, ky projekt gjithashtu ka rritur investimet kapitale të kompanisë për vitin 2012, dhe kësisoj i ka mundësuar kompanisë IPKO të fokusohet në shërbime multimediale për të plotësuar kërkesën në rritje për kapacitetet e mëdha të internetit me brez të gjerë.

Bashkë me krijimin e lidhjeve të reja të telekomunikimit me shtetet fqinje dhe ato evropiane, ndërtimi i kapaciteteve të reja të infrastrukturës moderne të fibrave optike nga IPKO gjithashtu nënkupton zhvillimin e tregut kosovar me kapacitete të reja teknologjike, të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve të avancuara për qytetarët, institucionet dhe bizneset në Kosovë.

Përshëndetje! Si mund të ju ndihmojmë?

Facebook
Live Chat
Whatsapp