IPKO, OFRUESI I VETËM I KANALEVE TË DIGITALB, EDHE PËR 5 VITET E ARDHSHME

Kompania IPKO sot ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi me partnerin e saj strategjik – ofruesin kryesor të përmbajtjes së televizionit kabllor dixhital – platformën DIGITALB.

Me marrëveshjen e re, IPKO do të vazhdojë të jetë ofruesi i vetëm dhe ekskluziv i përmbajtjes më të pasur të televizionit kabllor dixhital në Kosovë, përkatësisht kanaleve të shumta dhe ekskluzive të DIGITALB dhe SuperSport edhe për 5 vitet e ardhshme.

Edhe për shumë vite të tjera, konsumatorët e IPKO-së do të vazhdojnë ta kenë ofertën më të mirë të televizionit kabllor dixhital në shtëpitë e tyre, e cila është e pakrahasueshme në përmbajtje, cilësi dhe inovacion”, tha drejtori ekzekutiv i IPKO-së, Robert ERZIN.

Administratori i Përgjithshëm i DIGITALB, Alban JAHO, shprehet: “Jemi të lumtur të konfimojmë rinovimin e bashkëpunimin tonë me shoqërinë IPKO në KOSOVE. Ashtu sikurse 5 vite me parë, edhe ky bashkëpunim i ri vjen në një vit shumë të rëndesishëm për DIGITALB, në 10 vjetorin e krijimit të tij. DIGITALB prej 5 vitesh ka gjetur tek IPKO një partner të suksesshëm, të denjë dhe serioz. Si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi, sot programet më të mira dhe të realizuara shqiptare, por edhe ato të huaja janë prezent në të dy platformat tona, në Shqipëri e Kosovë, duke na bërë lider në tregun mediatik. Dëshira dhe impenjimi i dy shoqërive tona kanë bashkuar Shqipërinë dhe Kosovën në një sinjal të vetëm, me qellimin për më shumë arritje në teknologji, zhvillim, kulturë, dije, sport dhe çdo fushë tjetër, për të qenë kështu zëri dhe aspirata e realizuar e të gjithë shqiptarëve”.

“Përveç ofrimit të programeve më të mira informative, argëtuese, filmave, për fëmijë, sportit e muzikës, bashkëpunimi i suksesshëm mes IPKO dhe DIGITALB ka ndikuar edhe në pasurimin e mëtejshëm të kulturës e shoqërisë shqiptare, si dhe në forcimin e lidhjeve mes njerëzve, në të dyja vendet”.  

Bashkëpunimi mes IPKO dhe DIGITALB vazhdimisht ka sjell teknologjitë dhe inovacionet e fundit në tregun kosovar, duke përfshirë produktet dhe karakteristikat e reja si kanalet HD, opsionin Pay per View, TVim – televizionin personal për telefona (smart) dhe tablet, të cilin ata mund ta kenë gjithnjë me vete, përmes internetit në mobil në 3G, si dhe merrësin SmartBox – me karakteristikat innovative si; TimeShift, Personal Video Recorder, Video On-Demand, TV Guide, Kontrollin Prindëror, dhe shumë opsione të reja të cilat ofrohen për të parën herë në tregun e televizionit kabllor dixhital në Kosovë.

Përveç ekskluziviteteve të shumta në filma, dokumentarë, muzikë dhe sport, (UEFA Liga e Kampioneve – Champions League, Kampionati Anglez – English Premier League, prodhime në shqip si “O sa mire”) dhe shumë ngjarje të tjera, pashmangshmërisht, IPKO do të jetë ofruesi i vetëm i Kampionatit Botëror në Futboll “FIFA World Cup Brazil 2014”, të cilin do ta ofrojë në formatin me rezolucion te larte – High Definition-, përmes kanaleve të SuperSport Kosova, në komentin, figurën dhe zërin më cilësor.

IPKO është platforma e vetme e televizionit kabllor dixhital në Kosovë e cila ofron mbi 130 kanale televizive, 19 prej të cilave janë në formatin High Definition, dhe vijnë si kombinim i kanaleve më të mira televizive që ofrohen në tregun kosovar duke përfshirë të gjitha kanalet e platformës DIGITALB dhe SuperSport, me kanale informative, filma, lajme, kanalet e vendit, të rajonit si dhe kanale të mirënjohura ndërkombëtare.