Ipko përkrah festivalin e filmit dokumentar-Dokufest, edhe në edicionin jubilar

Për disa vite me radhë, kompania IPKO përkrah ngjarjen më të madhe të kulturës në Kosovë, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë – Dokufest.

Prishtinë, 13 korrik 2011 – IPKO ka njoftuar se do t’i qëndrojë pranë edhe këtë vit, ngjarjes më të madhe kulturore në Kosovë, festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtë – Dokufest, e cila tradicionalisht mbahet në qytetin e Prizrenit.

“IPKO do të vazhdojë të mbështes ngjarjet e mirëfillta në Kosovë, e posaçërisht ato që kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në zhvillimin e kulturës së një komuniteti, një qyteti dhe të një shteti në përgjithësi, siç bën Dokufest për dhjet vjet rresht. ” ka thënë Alban Kastrati, Drejtues i Marrëdhënieve me Publikun në IPKO.

Konsumatorët e telefonisë mobile IPKO do të kenë mundësi të blejnë biletat e filmave të ndryshëm që shfaqen në festival, për 50 për qind më lirë, duke dërguar SMS në kodin 55049 me nurin e shfaqjes që dëshironi ta ndiqni, ndërsa tërheqjen e tyre mund ta bëjnë në tendat e Dokufest në Prizren. Përveç mbështetjes financiare, IPKO edhe këtë vit do të investojë në promovimin e festivalit dhe vlerave artistike të cilat i njëjti i përfaqëson.

Këtë vit, Dokufest feston 10 vjetorin e themelimit të festivalit. Organizatorë theksuan se ky edicion jubilar pritet të jetë më i madhi i organizuar deri tash. Së bashku me festivalin e fëmijëve DokuKids, do të shfaqen mbi 200 filma në gjithsej 7 kinema, ndërsa Prizrenit do t’i shtohet edhe një kinema, ajo e Lidhjes së Prizrenit.

Përveç programeve të shumta garuese dhe speciale, DokuFest sivjet organizon edhe shumë punëtori dhe debate të ndryshme. Organizatorët veçuan pjesëmarrjen e ilustratorit të njohur Mirko Ilic, i cili do të mbaj një panel lidhur me dizajnin politik dhe shoqëror.

Po ashtu, DokuNights apo koncertet që do të organizohen për tetë natë me radhë te Mulliri do të sjellin bende dhe DJ të shumtë nga Kosova dhe rajoni. Ndër bendet që do të performojnë në DokuNights janë: Blla Blla Blla, Sofa Surfers, Offchestra, Bei the Fish, Conquering Lion, DJ Toton, DJ protonyz, DJ Rez etj.

Festivali i Filmit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë, Dokufest, që mbahet në Prizren prej datës 23 deri më 31 korrik 2011, vazhdimisht mbledh njerëz të artit dhe kulturës nga mbarë bota, duke e shndërruar qytetin mikpritës – Prizrenin, në një nga vendet më të dashura në Evropë për t’u vizituar, gjatë këtyre ditëve.

Përshëndetje! Si mund të ju ndihmojmë?

Facebook
Live Chat
Whatsapp