IPKO PREZANTON REZULTATET FINANCIARE PËR 2013

Gjatë vitit 2013, IPKO ka shënuar rritje rekorde në telefoninë mobile, ndërsa e ka mbajtur pozitën e saj udhëheqëse në internet dhe televizion digjital

IPKO sot i ka prezantuar rezultatet e saj financiare për vitin fiskal 2013. Kompania ka njoftuar se pjesëmarrja e saj në tregun e telefonisë mobile ka shënuar rritje rekorde nga 26 për qind në 34 për qind, ndërsa rritja e pjesëmarrjes së tregut në internet dhe televizion digjital ka qenë e vërejtshme, pasi që është ruajtur pozita udhëheqëse në treg me 51 për qind pjesëmarrje në internet, dhe 52 për qind pjesëmarrje e përllogaritur në tregun e televizionit kabllor digjital.

Deri në fund të vitit 2013, IPKO ka gjeneruar 69.1 milionë euro në të ardhura, 42.6 milionë euro në shpenzime, EBITDA prej 26.5 milionë euro, EBIT prej 8.6 milionë euro, ndërsa investimet kapitale të kompanisë IPKO kanë arritur në 13 milionë euro.

Shuma e përgjithshme e investimeve kapitale të cilat IPKO i ka realizuar në ekonominë e Kosovës që nga vitit 2007, ka arritur në 253 milionë euro gjithsejt. Deri më sot, IPKO mbetet investimi më i madh i huaj direkt në Kosovë.

“Në vitin 2013, IPKO ka pasur një performancë të fortë në të gjitha segmentet e biznesit të saj, duke përfshirë rritjen e konsiderueshme në telefoninë mobile. Prandaj, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për rezultatet e vitit të kaluar”, ka thënë Robert Erzin, Drejtor Ekzekutiv në IPKO. “Ne do të vazhdojmë të investojmë në produkte dhe teknologji të reja, për ta avancuar edhe më tej pozitën  tonë udhëheqëse në inovacion, kënaqësi konsumatore dhe lojalitetin e përdoruesve tanë “.

Përveç rritjes së bazës së përdoruesve prej 30 për qind, arritja kryesore e vitit 2013 në telefoninë mobile ka qenë edhe lansimi zyrtar i 3G-së dhe shtrirja dhe zgjerimi i shpejtë i rrjetit, i cili deri në fund të vitit 2014 do të mbulojë më shumë se 54 për qind të territorit dhe 80 për qind të popullsisë, duke mundësuar një përvojë unike dhe internet pakrahasueshëm më të shpejtë shpejtë mobil në Kosovë.

Arritjet tjera të rëndësishme të vitit të kaluar gjithashtu përfshijnë edhe lansimin e tarifave të reja me minuta kombëtare, pritja e përdoruesve të rinj me 1000 minuta, SMS apo megabajt, lansimi i tarifës “Fol me ton” – tarifës më të volitshme për thirrje brenda rrethit të përdoruesve dhe thirrjeve drejt çdo operatori mobil, e cila ka mundësuar që thirrjet në rreth gjatë muajve të verës të jenë me 0 cent në minutë ndërsa në fund të vitit për 2 cent në minutë, si dhe lansimi i pakove postpaid Mujore të cilat përfshijnë minuta kombëtare, apo lansimi i Hej Mini – versionit të dedikuar për të rinjtë, etj.

Gjatë 2013-tës, IPKO ka prezantuar TVim – televizionin personal për përdoruesit në lëvizje, ndërsa kompania ka zgjeruar programin e saj “IPKO Pika” edhe për konsumatorët besnik të shërbimeve fikse, e ka pasuruar përmbajtjen e televizionit me kanale të reja dhe të drejta për transmetimin ekskluziv të futbollit, si dhe ka ofruar zbritje të rëndësishme prej 15 për qind në fund të vitit 2013.

Vitin e kaluar, për të dytën herë, IPKO e ka fituar çmimin FIDES – mirënjohjen e respektuar për kontributin më të mirë filantropik në nivel nacional, ndërsa kompania është emëruar edhe si performuesi më i mirë i vitit brenda grupit të Telekom Slovenije.

Përshëndetje! Si mund të ju ndihmojmë?

Facebook
Live Chat
Whatsapp