KOMPANIA TELEKOMUNIKUESE IPKO I MBUSH 10 VJET

Janë bërë 10 vjet jetë për kompaninë IPKO. Gjatë këtyre viteve, IPKO është shndërruar në një kompani moderne e cila ofron shërbime bashkëkohore në telefoni mobile, fikse, TV digjital dhe internet, në tërë vendin.

Prishtinë, Kosovë, 24 nëntor 2009 – Këtë fundvit kompania IPKO e feston dhjetë-vjetorin e themelimit të saj si kompani e cila e ka për qëllim, që përdorimin e teknologjisë ta vendos në dobi dhe shërbim të qytetarëve dhe bizneseve në vend.

Ka qenë fundi i vitit 1999 kur kompania IPKO, atëherë e njohur si IPKO Net, është krijuar nga një grup i vogël i njerëzve të cilët shumë shpejtë kanë arritur që të sjellin internetin për të parën herë në Kosovë, duke e mundësuar kështu lidhjen e menjëhershme të Kosovës me botën.

Dhjetë vite më pas, IPKO e ofron internetin, telefoninë fikse dhe televizionin kabllor digjital tek më shumë se 230 mijë familje në tërë vendin, duke e pozicionuar kështu shtetin tonë si vend të zhvilluar, sa i përket shkallës së lartë të depërtimit dhe përdorimit të shërbimeve të telekomunikimit.

Me hyrjen e saj në tregun e telefonisë mobile në Kosovë, si pjesë e një grupi të fuqishëm si Telekomi Slloven, telefonia mobile IPKO ka zbritur çmimet e komunikimit mobil në Kosovë duke ofruar produktet dhe shërbimet më bashkëkohore, dhe ka përvetësuar më shumë se 35 për qind të tregut, i cili është gjithnjë në rritje.

Telefonia mobile IPKO, gjithashtu e ka ndërtuar rrjetin i cili mbulon 99.7 për qind të popullsisë në vend, duke u bërë kështu lider i tregut, sa i përket shtrirjes, kualitetit dhe stabilitetit të sinjalit të telefonisë mobile në Kosovë.

Krahas zhvillimit dhe suksesit të saj në biznes, kompania telekomunikuese IPKO është njëra ndër kompanitë e cila vazhdon të kontribuojë më së shumti në shoqërinë kosovare, duke përkrahur organizata, institucione, aktivitete dhe ngjarje tjera tejet të rëndësishme për mirëqenien e gjithë qytetarëve të Kosovës.

IPKO konsiderohet si njëra ndër kompanitë telekomunikuese me rritjen dhe zgjerimin më të shpejtë në Evropë e cila sot punëson më shumë se pesëqind njerëz në tërë vendin, ndërsa mbetet si shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së vendit, si investimi më i madh i huaj direkt në Kosovë dhe investimi më i madh i huaj slloven jashtë Sllovenisë.

Përshëndetje! Si mund të ju ndihmojmë?

Facebook
Live Chat
Whatsapp