Rreth IPKO

Kompania e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë

IPKO Telekomunikimet, njihet si kompania e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. E themeluar më 1999, IPKO është zhvilluar suksesshëm – nga ofruesi i parë i internetit në mbarë Kosovën – në një ndërmarrje moderne, që ofron spektër të plotë shërbimesh dhe përmbajtjesh të integruara në komunikime mobile, telefoni fikse, televizion kabllor digjital, internet dhe media.

IPKO njihet si një kompani moderne me shërbime të avancuara dhe ka një reputacion të një kompanie që kujdeset për klientët e saj. Si në sektorin shtëpiak, ashtu edhe në atë të bizneseve, inovacioni ynë shtrihet në të gjitha produktet dhe shërbimet, të cilat janë të disenjuara me kujdes që t’u përshtaten nevojave të ndryshme të konsumatorëve tanë.

Filozofia jonë e krijimit të planeve tarifore dhe ofertave të personalizuara për kërkesa të ndryshueshme të konsumatorëve tanë, me mënyra të ndryshme jetese, pasqyrohet në diversitetin e shërbimeve tona.

Me hyrjen e saj në treg, IPKO ka sjellë konkurrencë në tregun e telefonisë mobile dhe përfitime të shumta për konsumatorët. Depërtimi i telefonisë mobile IPKO në treg, ka ulur çmimet, ndërsa ka ngritur cilësinë e shërbimeve, në nivelin më të lartë të mundshëm.

Gjatë një viti operimi, IPKO ka arritur të mbulojë me rrjetin e telefonisë mobile, më shumë se 99.7 për qind të popullatës së vendit. Për më pak se një vit, telefonia mobile IPKO ka 35 për qind të tregut të telefonisë mobile në Kosovë, i cili gjithnjë është në rritje.

IPKO vazhdon të jetë ofruesi kryesor i internetit, edhe nga shtrirja e rrjetit, edhe nga numri i konsumatorëve. IPKO ka një rrjet shumë të gjerë tokësor – fikse me 230.000 mijë porta, ndërsa numri i konsumatorëve të telefonisë fikse është në rritje të vazhdueshme.

Kompania është gjithashtu lider në treg edhe në shërbimin e televizionit kabllor digjital, duke ofruar përmbajtjen më cilësore programore televizive ajo ka numrin më të madh të klientëve në treg.

Në secilin segment – telefoni mobile, telefoni fikse, internet dhe televizion kabllor digjital – IPKO operon me teknologjinë më të fundit dhe me rrjetin më cilësor në treg.

IPKO është në fazën e rritjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm. IPKO tashmë ka 19 dyqane zyrtare të shitjes, dyqanin pë shitje online, përkrahje teknike dhe qendër të madhe të kujdesit për konsumatorët e cila punon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë tërë vitit dhe një rrjet të gjerë distributorësh të autorizuar në të gjithë vendin.

Duke kombinuar përvojën unike në një treg dinamik bashkë me përkushtimin për t’ua ofruar teknologjinë më të fundit qytetarëve të Kosovës, IPKO synon të jetë përfaqësuesi më i mirë i komunitetit të biznesit, i cili kultivon standarde të larta të arritjeve në biznes dhe etikë biznesi, të cilat e vendosin kompaninë si shtyllë të rëndësishme në ekonominë e Kosovës.