Telekom Slovenije emëron Robert Erzin në pozitën e drejtorit ekzekutiv në ipko

Prishtinë, 07 shkurt 2011 – Bordi Menaxhues i Telekom Slovenije e ka emëruar Robert Erzin në pozitën e drejtorit ekzekutiv në IPKO. Erzin do të jetë në pozitën e re prej datës 1 shkurt 2011.

Para se të vijë në pozitën e drejtorit ekzekutiv në IPKO, Erzin ka mbajtur pozita të rëndësishme ekzekutive në Telekom Slovenije për më shumë se 17 vjet, ku së fundmi ai ka shërbyer si këshilltar i Kryetarit të Bordit Menaxhues, dhe njëkohësisht si kryesues i Bordit të Drejtorëve në Primo Communications në Shqipëri.

“Marrja e pozitës së drejtorit ekzekutiv të kompanisë IPKO, është një sfidë e madhe për mua. Si kompani udhëheqëse në industrinë e telekomunikimit në Kosovë, IPKO ka një të ardhme shumë të ndritur. Kjo kompani punëson njerëz të rinj dhe shumë të talentuar, dhe unë besoj që së bashku ne do të arrijmë rekorde të reja” ka deklaruar Robert Erzin, pas emërimit të tij në pozitën e drejtorit ekzekutiv në IPKO.

Karriera profesionale e Robert Erzin me telekomin slloven ka filluar prej vitit 1994, ku ai fillimisht ka punuar si drejtues i zhvillimit të rrjetit dhe transmisionit, për të vazhduar më pas si drejtor i marketingut, hulumtimit të tregut, politikës së çmimeve si dhe zhvillimit të shërbimeve, për më shumë se katër vjet.

Më pas, Erzin ka marrë pozitën e drejtorit të zhvillimit të shërbimeve, për të kaluar 3 vjet më vonë në pozitën e drejtorit të politikave të çmimeve dhe rregullatorit, dhe pas kësaj në pozitën e drejtorit të departamentit të kontrollit, rrjetit dhe infrastrukturës.

Erzin ka përfunduar Fakultetin Ekonomik dhe programin e biznesit në IMD, si dhe Fakultetin dhe magjistraturën e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Lubjanës. Ai flet rrjedhshëm edhe katër gjuhë të huaja.

Drejtori i deritanishëm i kompanisë, Branko Babic do ta braktis pozitën e drejtorit ekzekutiv dhe anëtarit të Bordit të Drejtorëve në IPKO para datës 1 shkurt 2011. Ai do ta vazhdojë karrierën e tij profesionale në pozita tjera ekzekutive, jashtë kompanisë IPKO.

Përshëndetje! Si mund të ju ndihmojmë?

Facebook
Live Chat
Whatsapp