Dizajni i ri i uebfaqes së IPKO’s synon të thjeshtësojë kërkimin online, si dhe të ofrojë mbështetje absolute për të gjithë konsumatorët ekzistues dhe të rinj të kompanisë
Prishtinë, 14 mars 2012 – Me qëllim të thjeshtësimit të shfletimit të produkteve, shërbimeve dhe përmbajtjes tjetër me rëndësi, kompania IPKO ka ri-dizajnuar tërësisht uebfaqen e saj zyrtare, e cila prej sot është online për të gjithë përdoruesit e internetit në mbarë botën.
Përveç fokusimit më të madh të ofertave të fundit në ballinën e faqes, ndryshimi më i theksuar në faqen e re të kompanisë IPKO është menyja interaktive, e cila përmbledh shumicën e produkteve dhe shërbimeve më të kërkuara nga konsumatorët, si dhe shiriti i kërkimit të përmbajtjes në ueb, i cili shfaq shpejtë rezultatet dhe përgjigjet e kërkuara nga vizitorët.
“Përdoruesit e internetit sot duan rezultate të shpejta dhe shfletim të thjeshtë të çdo informacioni, ndërsa versioni i ri i faqes tonë është i orientuar pikërisht në kërkesat në rritje të konsumatorëve, të cilët i duan përgjigjet e tyre online. Me faqen e re moderne, ne synojmë që ta lehtësojmë shfletimin e përmbajtjes në faqe, ndërsa që kërkimi në IPKO të jetë një përvojë argëtuese në internet” ka thënë Lorida Daci, menaxhere e marketingut në IPKO.
Dizajni i ri i faqes zyrtare të IPKO-së synon që të ofrojë përgjigje të shpejtë për të gjitha pyetjet e konsumatorëve ekzistues dhe potencial të kompanisë, si dhe ta shndërrojë shfletimin në faqe në një përvojë argëtuese për më shumë se 3,000 vizitorët ditor, të cilëve u ofrohet mbështetje e plotë konsumatore përmes përgjigjeve në pyetjet e shpeshta, linkave direkt në produkte dhe shërbime, hartave lokale për pikat e shitjes, dhe menysë së zgjeruar me të gjitha informatat e nevojshme për një produkt ose shërbim.
IPKO njihet si një kompani moderne me shërbime të avancuara dhe ka një reputacion të një ndërmarrje e cila kujdeset për klientët e saj, në çdo pikë të kontaktit me konsumatorët e saj.