Gjatë vizitës zyrtare të Ministrit Blerand Stavileci dhe kabinetit të tij në IPKO u diskutuan prioritetet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe sektorit të telekomunikacionit në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin e teknologjisë informative, si dhe u prezantuan sfidat kryesore me të cilat përballet IPKO në tregun kosovar.
Në prezantimin e tij, Ministri Stavileci tha se drejtimi strategjik të cilin po e ndjek Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka për qëllim kryesor rritjen ekonomike e cila do ta ndryshojë ritmin e ekonomisë kosovare, duke kontribuar në zhdukjen e varfërisë, papunësisë dhe krijimin e mundësive të reja që gjenerojnë punësim, por edhe zhvillim të sektorëve të rinj në ekonomi që ndikojnë në punësim, por edhe nxisin konkurrueshmëri me tregjet rajonale.
Në prezantimin drejtorit të kompanisë IPKO, Robert Erzin u tha se IPKO ka rol dhe ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, sepse përveç 270 milionë eurove të investuara në Kosovë dhe qindra vendeve të punës që ajo ka krijuar, kompania telekomunikuese të gjitha fitimet e saj i ka rikthyer në vend, për krijimin e infrastrukturës moderne e cila mundëson edhe zhvillimin e sektorit privat.
Pas prezantimit të pozitës së IPKO në treg, Erzin ka prezantuar edhe shkallën e lartë të depërtimit dhe përdorimit të internetit në Kosovë, si dhe ka prezantuar edhe infrastrukturën e rrjetit mobil IPKO, duke thënë se brenda javëve në vazhdim IPKO do të jetë në gjitha qendrat e Kosovës me rrjetin 4G, krahas zgjerimit të mëtutjeshëm të infrastrukturës së përgjithshme.
Erzin tha se aktualisht IPKO posedon rreth 320.000 porte të rrjetit fiks, që nënkupton se poaq familje kosovare mund të lidhen me internet dhe televizion digjital kabllor nga IPKO.
Në takim u tha se ndër sfidat kryesore me të cilat përballet IPKO në tregun kosovar janë mungesa e resurseve frekuencore në telefoninë mobile, ku u kërkua trajtim i barabartë për të gjithë operatorët mobil në Kosovë, operatorët ilegal të televizionit kabllor, operatorët legal por me përmbajtje ilegale, mos-respektimi i të drejtave të autorit, si dhe mangësitë në procesin e digjitalizimit.