Ipko Net përfiton kredi në vlerë prej 1.65 milion nga ProCredit Bank

Vendi:

Prishtinë

Nga:

IPKO

ProCredit Bank dhe Ipko Net kanë nënshkruar marrëveshjen, në bazë të së cilës Ipko Net do të përfitojë kredinë prej 1.65 milionë euro. Këtë kredi Ipko Net do ta shfrytëzojë për rritjen e mbulueshmërisë dhe kapaciteteve të rrjetit të pavarur të telekomunikimit, përmes të cilit kjo kompani operon, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për klientët e saj.

Ky rast shënon vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm të deritanishëm të ProCredit Bank-ës dhe Ipko Net-it, i cili ka filluar që në vitin 2001.
Me ndihmën e kredisë nga ProCredit Bank në atë vit, Ipko Net ka ndërtuar rrjetin e pavarur dhe plotësisht të integruar të telekomunikimeve, përmes së cilit ka realizuar shërbimet e veta duke iu ofruar shumë bizneseve mjetet më bashkëkohore të komunikimit.

Sot, bankat kryesore në Kosovë, si dhe të gjitha kompanitë e sigurimit funksionojnë përmes shërbimit të Ipko Net-it, i cili u mundëson komunikim dhe bartje të të dhënave ndërmjet filialeve të tyre në tërë territorin e Kosovës.
Ndërmarrjet e mëdha, të vogla dhe të mesme në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarët, çdo ditë e më shumë varen nga teknologjia informative. Me ndihmën e kredisë së fituar, Ipko Net do të realizojë zhvillim të mëtutjeshëm të cilësisë dhe llojllojshmërisë së shërbimeve bashkëkohore të telekomunikimit për këto ndërmarrje si dhe për shtëpi të qytetarëve.

Investimet e Ipko Net-it në rrjet të telekomunikacionit dhe shërbimeve të teknologjisë informative janë më të mëdhatë në Kosovë nga një ndërmarrje private. Njëkohësisht, Ipko Net është edhe kompania më e suksesshme private që u ofron shërbime të telekomunikimit më se 1500 klientëve.

“Zhvillimi i mëtutjeshëm i sektorëve të ndryshëm të shoqërisë, në masë të madhe do të varet nga mundësia e shfrytëzimit të teknologjive bashkëkohore të telekomunikimit. Kredia na mundëson që ne të luajmë një rol të rëndësishëm dhe ofrojmë mundësinë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve nga bizneset dhe individët në Kosovë,” deklaroi me këtë rast Akan Ismaili, drejtor ekzekutiv i Ipko Net-it.

ProCredit Bank, banka më e suksesshme në Kosovë, deri më tani ka dhënë kredi në vlerë prej më se 220 milionë euro, me çka ndihmon drejtpërdrejt edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Miratimi i kredive i nënshtrohet një procesi analizues dhe kontrollues me standarde të nivelit të lartë. Këtij procesi iu nënshtrua edhe menaxhmenti i Ipko Net-it, të cilët dorëzuan një plan bashkëkohor të biznesit si dhe raporte financiare të kontrolluara nga agjencione ndërkombëtare të auditimit. Edhe pse kredia e aprovuar është e madhe për tregun Kosovar, besimi i bankës në Ipko Net ndërlidhet edhe me përvojën që ka kjo kompani në fushën e telekomunikacionit.

ProCredit Bank është përkrahëse e denjë i investimeve në lëmi të ndryshme që modernizojnë Kosovën dhe lehtësojnë integrimin e saj në familjen evropiane.

ngjashme

Si eshte eksperienca ne webin e IPKO’s?

Ju lutem kurseni pak minuta për të ndarë eksperiencën tuaj në lidhje me ueb faqen tonë.

Zgjedh më shumë se një produkt për krahasim