IPKO e ka shumëfishuar kapacitetin e internetit në mobil për të gjithë konsumatorët e saj të biznesit. Pakoja e dikurshme me 250 megabajt tani ofrohet me 2000 MB, ndërsa çmimi i saj mbetet i njëjtë. Sipas një hulumtimi, rreth 66 për qind e konsumatorëve të IPKO’s thonë se përdorin GPRS.
Prishtinë, 3 Shtator 2010 – Me pakot e reja të internetit për mobil, konsumatorët e biznesit në IPKO do të kenë internet në telefonat e tyre mobil nga çdo vend dhe në çdo kohë, pasi që rrjeti të cilin ata e përdorin, tani e ka shumëfishuar kapacitetin e pakove GPRS (internet në mobil).
Konsumatorët e biznesit që dikur kanë përdorur pakon e GPRS me 250 megabajt, tani do të përdorin 2000 megabajt (2GB), ndërsa ata që kanë përdorur pako me 100 megabajt, tani do të shfrytëzojnë 500 megabajt internet në muaj, pa asnjë pagesë shtesë.
Oferta e njëjtë vlen edhe për konsumatorët e biznesit që përdorin pakot Postpaid Business ose iBusiness, të cilët marrin kapacitet të dyfishuar të GPRS-it, ndërsa pakot Business400 dhe iBusiness1000 tani vijnë me 500 megabajt internet.
Në anën tjetër, në rezultatet e një hulumtimi të brendshëm të kompanisë IPKO, thuhet se 66 për qind e konsumatorëve të saj mobil përdorin internetin në telefonin e tyre mobil. Për më tepër, rreth 30 për qind e atyre që përdorin GPRS, thonë se internetin në mobil e përdorin rreth një orë në ditë.