Në kuadër të panairit të Teknologjisë Informative, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Ipko Net, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit. Në bazë të saj, Ipko Net do të shfrytëzoj infrastrukturën e KEK-ut për të shtrirë rrjetin e vet të telekomunikimeve nëpër gjithë Kosovën, kundrejt pagesës së përdorimit të rrjetit.
Ipko Net do të paguaj qiranë mujore sipas marrëveshjes për shfrytëzimin e infrastrukturës dhe do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e realizimit të infrastrukturës. KEK-u do të mbikëqyrë punët dhe do të aprovojë të gjitha dizenjot dhe planet e zbatimit, që të minimizojë mundësitë e ndikimin në rrjetin e transportit të rrymës.
“KEK-u, pas marrjes së aprovimit të Bordit të Drejtorëve dhe Departamentit për Energji të AKM-së, është i lumtur të nënshkruajë një marrëveshje për shfrytëzimin e rrjetit të KEK-ut me kompaninë Ipko Net. Kjo marrëveshje i lejon Ipko Net-it të vendosë asetet e saja në infrastrukturën e KEK-ut në tërë Kosovën, duke fituar në këtë formë mundësi më të madhe në premisat e amvisërisë dhe ato komerciale në tërë vendin.
Marrëveshja paraqet përfitime komerciale për KEK-un, përmes pagesës mujore që Ipko Net do t’i bëjë KEK-ut për secilin konsumator të shërbimeve të telekomunikacionit. Kjo do të thotë që KEK-u është duke eksploruar infrastrukturën e vet edhe më tej, dhe nga kjo po fiton të hyra të reja. Këto të hyra do të shfrytëzohen për të ulur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët e vlerësuar të KEK-ut”- tha John Ashley, drejtor menaxhues i KEK-ut.
“Marrëveshja do t’i mundësojë Ipko Net-it një shpërndarje më të shpejtë të rrjetit të saj të telekomunikimeve, me qëllim ofrimin e shërbimeve të reja në një hapësirë gjeografike më të gjerë. Krejt kjo me synimin që konsumatorit t’i ofrohet mundësia e zgjedhjes, si të produktit ashtu edhe të operatorit,”- tha Akan Ismaili, drejtor ekzekutiv i Ipko Net-it.
Kjo infrastrukturë e re do t’i mundësojë KEK-ut që në të ardhmen të zhvillojë mënyra të reja për të komunikuar me konsumatorët e vet. Për të ndërtuar platforma për menaxhim nga distanca dhe për të zhvilluar leximin e orëve nga distanca.
Ipko Net është ofrues i shërbimeve të teknologjisë informative dhe të komunikimit dhe është në proces të zgjerimit të infrastrukturës së vet, si dhe në përfundim të përgatitjeve të ofrimit të shërbimeve të reja të telekomunikimit.