Konsumatorët e IPKO, tani mund të mbushin telefonat mobil, në shumat që ata preferojnë nëpër bankomatët e ProCredit bankës, çdo ditë dhe në çdo kohë
Operatori mobil IPKO nga dita e premte – 2 maj 2008- starton me produktin e ri IPKOmat, i cili u mundëson konsumatorëve tonë që të mbushin llogarinë në telefonat mobil ditë e natë përmes bankomatëve të ProCredit bankës.
IPKOmat, në krahasim me ofertat e tjera në treg është një shërbim shumë fleksibil i cili mundëson që shuma e mbushjes të përzgjidhet nga vet konsumatori. Duke përdorur kartelat bankare konsumatorët tanë do të mund të mbushin llogaritë e tyre në vlerat që ata dëshirojnë duke u nisur nga 5 euro deri ne 100 euro. Konsumatorët e IPKO, gjithashtu mund të mbushin sipas dëshirës së tyre edhe llogaritë e të afërmve dhe miqve të tyre.
“Përmes shërbimit IPKOmat ne po e shtyjmë edhe një hap më përpara vizionin tonë që t’i afrohemi konsumatori aq afër sa ai të mos shpenzoj kohë dhe mund për të pasur qasje në shërbimet tona. E gjithashtu po i heqim hap pas hapi cilatdo kufizime që janë vendosur në treg”, tha drejtori ekzekutiv i IPKO, z.Akan Ismaili.
Shërbimi IPKOmat, është i sigurt, i shpejtë dhe shumë i lehtë për tu përdorur. Në secilin bankomat të ProCredit Bankës janë vendosur edhe udhëzimet për përdorim të shërbimit, që procesin e mbushjes së llogarive e bëjnë skajshmërisht të lehtë.
Produkti IPKOmat, është fryt i bashkëpunimit ndërmjet IPKO dhe bankës ProCredit.
“Shërbimi IPKOmat u mundëson klientëve të bankës ProCredit që përmes bankomatëve ti kreditojnë telefonat e tyre mobil, duke përdorur vetëm kartelat e tyre bankare. Pra si shërbim është tejet funksional dhe klientëve tanë u jep qasje dhe mundësi për ti kryer shërbimet e tyre 24 orë në 7 ditë të javës në 84 bankomate të vendosura në mbarë Kosovën”, tha Florin Lila zëvendës drejtor gjeneral i ProCredit Bankës.
ProCredit Bank është banka e parë në Kosovë që ofron një mundësi të tillë. Që të gjitha degët e ProCredit Bankës gjithsej 50 në tërë territorin e Kosovës janë të pajisura me teknologji dhe standarde të larta evropiane, përfshirë edhe bankomatet, dhe që të gjitha degët janë të hapura gjashtë ditë të javës.