2026 – IPKO Cyber Security Conference 4

IPKO organizoi Konferencën e 4-të për Sigurinë Kibernetike, më 7 tetor 2026 në Klan Arena, në Prishtinë, duke bashkuar mbi 400 pjesëmarrës nga industria e telekomunikacionit dhe teknologjisë, ekspertë të sigurisë kibernetike, përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve, si dhe kompani të njohura ndërkombëtare.

Risitë kryesore të këtij edicioni ishin demonstrimet e drejtpërdrejta të sigurisë kibernetike dhe masterclass-et e specializuara mbi sigurinë në epokën e inteligjencës artificiale (AI). Përmes demonstrimeve praktike nga Kosova Cyber Team, pjesëmarrësit patën mundësi të shihnin nga afër rreziqet kibernetike, mënyrën e identifikimit të tyre dhe qasjet për mbrojtje. Ndërsa masterclass-et sollën njohuri dhe zgjidhje konkrete për sigurinë e aplikacioneve dhe sistemeve të bazuara në inteligjencën artificiale.

Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë Fortinet dhe Cisco, u mbajtën dy masterclass-e të specializuara: “Security in AI Era with FortiAI – Protect, Assist and SecureAI”, nga Fortinet, dhe “Cisco AI Defense: Security for AI Applications & Agents”, nga Cisco. Këto sesione trajtuan sfidat e reja të sigurisë që sjell zhvillimi i AI-së dhe qasjet për mbrojtjen e aplikacioneve, sistemeve dhe agjentëve të inteligjencës artificiale.

Konferenca u zhvillua si një platformë për diskutimin e zhvillimeve, sfidave dhe prioriteteve që po formësojnë të ardhmen e sigurisë kibernetike në rajon. Programi përfshiu prezantime strategjike dhe teknike, dy diskutime në panel, masterclass-e të specializuara, demonstrime praktike, si dhe një Ekspozitë të Sigurisë Kibernetike me partnerë ndërkombëtarë.

Konferenca u hap me fjalën e Drejtorit Ekzekutiv të IPKO-s, András Pali, e ndjekur nga prezantimi “The Hidden Exposure in Kosovo: A Cross-Industry Cyber Security Challenge from Leak to Breach”, i mbajtur nga Faton Kurteshi, udhëheqës i Njësisë për Zgjidhje Teknologjike dhe Cilësi të Shërbimit në IPKO, dhe Kastriot Fetahaj, trajner i Kosovo Cyber Team dhe inxhinier i softuerit dhe sigurisë kibernetike në Daily Wire.

Pjesa qendrore e konferencës ishte paneli strategjik “Zhvillimi i sigurisë kibernetike në rajon”, i cili bëri bashkë drejtues ekzekutivë të operatorëve të telekomunikacionit nga Kosova dhe rajoni për një diskutim të nivelit të lartë mbi sfidat e sigurisë kibernetike, investimet dhe prioritetet strategjike, si dhe rolin e sektorit të telekomunikacionit në forcimin e qëndrueshmërisë digjitale.

Në panel morën pjesë:

  • András Pali, Drejtor Ekzekutiv, IPKO;
  • Vesna Prodnik, Anëtare e Bordit Menaxhues, Telekom Slovenije.
  • Verica Naskovska, Zëvendësdrejtoreshë për Sigurinë e Informacionit (CISO), Qeverisjen, Menaxhimin e Rrezikut dhe Pajtueshmërinë, si dhe Mbrojtjen e të Dhënave, A1 Makedonija;

Paneli u moderua nga Valon Canhasi, duke mundësuar një diskutim të balancuar dhe të thelluar mbi ndikimin ekonomik, institucional dhe strategjik të investimeve në sigurinë digjitale.

Programi vijoi me prezantimet e partnerëve ndërkombëtarë. Attila Pester, Drejtor i Shitjeve për Klientët Strategjikë në Nagra, dhe Paul Palmer, Drejtor i Zhvillimit të Biznesit në Utopia, ndanë përvoja dhe zgjidhje konkrete për mbrojtjen ndaj kërcënimeve moderne.

Paneli i dytë, “Rëndësia e linjës së parë të mbrojtjes – Siguria e DNS-it”, u fokusua në aspektin teknik të mbrojtjes së rrjeteve dhe rolin e DNS-it si pikë kyçe në parandalimin e sulmeve kibernetike.

Në këtë panel diskutuan:

  • Kostya Soloviov, Menaxher i Lartë për Përvojën e Përdoruesit me Produktin në Whalebone;
  • Marko Ugrin, Systems Engineering Manager në Fortinet;
  • Goce Dojcinovski, Solutions Engineer në Cisco;
  • Flamur Prapashtica, udhëheqës i Menaxhimit të Sigurisë në IPKO.

Paralelisht, Ekspozita e Sigurisë Kibernetike mblodhi kompani dhe partnerë si Whalebone, Utopia, Fortinet, Strix, Cisco, Nagra, DEFCON dhe Netskope. Demonstrimet e drejtpërdrejta nga Kosova Cyber Team u mundësuan pjesëmarrësve të njiheshin nga afër me rreziqet kibernetike dhe qasjet për mbrojtjen ndaj tyre. Ndërkohë, sesionet e networking-ut krijuan hapësira për shkëmbim përvojash, ndërtim partneritetesh dhe bashkëpunim profesional.

Me edicionin e katërt, IPKO e forcoi më tej rolin e saj si nismëtare e dialogut për sigurinë kibernetike në Kosovë dhe rajon, duke kontribuar në rritjen e vetëdijes, bashkëpunimit dhe kapaciteteve përballë kërcënimeve kibernetike.

Të ngjashme

IPKO organizoi Konferencën e parë ICT për Sigurinë Kibernetike në Kosovë, duke mbledhur rreth 250 pjesëmarrës nga komuniteti i biznesit, institucionet publike, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe ekspertë të fushës.
IPKO organizoi Konferencën e 3-të për Sigurinë Kibernetike, edicionin më të madh dhe më gjithëpërfshirës deri më tani, duke mbledhur mbi 450 pjesëmarrës nga bizneset, institucionet qeveritare, sektori financiar, akademia dhe organizatat ndërkombëtare.
IPKO organizoi Konferencën e 2-të për Sigurinë Kibernetike, duke mbledhur një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish nga bizneset, institucionet qeveritare, sektori financiar, akademia dhe partnerë ndërkombëtarë të teknologjisë.

Si eshte eksperienca ne webin e IPKO’s?

Ju lutem kurseni pak minuta për të ndarë eksperiencën tuaj në lidhje me ueb faqen tonë.

Zgjedh më shumë se një produkt për krahasim