Kompania telekomunikuese IPKO, në bashkëpunim me Organizatën Jo-Qeveritare “Ti Gëzojmë Fëmijët” ka filluar fushatën për ti ndihmuar fëmijëve që kanë nevojë për shërim jashtë vendit.
Prishtinë, 29 maj 2009 – Kompania telekomunikuese IPKO dhe Organizata Jo-Qeveritare “Ti Gëzojmë Fëmijët” (TGF), kanë filluar aksionin humanitar për ti ndihmuar fëmijëve kosovar që kanë nevojë për shërim jashtë Kosovës.
Janë qindra fëmije me sëmundje te ndryshme të rënda të cilat nuk mund të shërohen në Kosovë, që janë të evidentuar në listat e pritjes për shërim nga organizata joqeveritare TGF.
Me këtë veprim, kompania IPKO ka për qëllim që të kontribuojë për të ardhmen e shoqërisë kosovare, e veçanërisht për fëmijët e këtij vendi, gjithnjë e orientuar nga vlerat e kompanisë dhe përkushtimi për të qenë biznes i përgjegjshëm në shoqërinë tonë.
Të gjithë konsumatorët e operatorit të telefonisë mobile IPKO, që ndjejnë që mund të ndihmojnë në shërimin e këtyre fëmijëve duhet të dërgojnë SMS në numrin 5050, me fjalën “ndihmoj”, dhe ngarkohen me 50 cent, për çdo SMS të dërguar në këtë numër.
Mjetet e grumbulluara i shkojnë OJQ “Ti Gëzojmë Fëmijët”, e cila i mban të gjitha të drejtat për përzgjedhjen dhe dërgimin e fëmijëve për shërim jashtë vendit.
Kompania telekomunikuese IPKO është mbështetësi kryesor i fushatës humanitare, ku përveç përkrahjes direkte financiare, IPKO gjithashtu mbulon të gjitha shpenzimet e fushatës humanitare.
Pjesë e fushatës do të jetë edhe aktori i mirënjohur kosovar, Luan Jaha, i cili është ambasador i fëmijëve që kërkojnë shërim të menjëhershëm jashtë shtetit.
Fushata mediale përfshin promovimin në televizion, gazetë, portale informative online, billborde, ndërsa për këtë fushatë do të xhirohet edhe një video-klip muzikor, ku fushatës do ti bashkëngjiten fëmijë nga OJQ “TGF” dhe fytyra të mirënjohura publike.