IPKO po shënon momente të rëndësishme; arritjen e 500.000 përdoruesve në telefoninë mobile, si dhe suksesin e saj të njohur në shërbimet e internetit dhe televizionit digjital.
IPKO sot ka njoftuar se numri i përdoruesve aktivë në telefoninë e saj mobile ka arritur në 500.000, që paraqet një përmirësim të ndjeshëm nga 375,000 përdorues sa kishte vetëm një vit më parë. Nëpërmjet ofertave atraktive dhe kujdesit superior për konsumatorët e saj, si dhe përmes kësaj rritje të bazës së konsumatorëve për 33% brenda një viti, si pjesë e Telekom Slovenije Group, IPKO gjithashtu ka forcuar pozitën e saj në tregun e telefonisë mobile.
Bazuar në raportin e ARKEP të publikuar për TM1, IPKO ka rritur pjesëmarrjen e saj në treg në 27% dhe kjo përqindje pritet të vazhdojë rritjen e saj, pasi 1/3 e rritjes vjetore prej 33% ka ardhur në tremujorin e dytë të vitit 2013, dhe e njëjta ende nuk është përfshirë në raportin e ARKEP, ndërsa gjithnjë e më shumë përdorues po i bashkëngjiten IPKO-së, për çdo ditë.
“Prej ditës së parë të operimit të saj në treg, IPKO ka sjell inovacionin, çmimin, shërbimet dhe cilësinë më të mirë të telefonisë mobile për përdoruesit kosovar. Sot, ne jemi absolutisht të kënaqur dhe falenderues që kemi mundësinë t’i shërbejmë më shumë se 500.000 përdorues, çdo ditë” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO. “Së fundmi, me mijëra përdorues të rinj po i bashkohen telefonisë mobile IPKO në baza ditore, ndërsa qindra e mijëra përdorues e kanë vënë IPKO-në si zgjedhjen e tyre të parë për produkte dhe shërbime cilësore të telefonisë mobile në Kosovë. Ne si IPKO jemi të përkushtuar t’i plotësojmë nevojat e konsumatorëve tanë dhe të ndërtojmë marrëdhënie afat-gjata me të gjithë pwrdoruesit e shwrbimeve tona”.
“Zhvillimi i IPKO’së në vitet e fundit demonstron se strategjia e qartë dhe vizioni për punë dhe zhvillim të përbashkët sjell rezultatet e duhura. Për vetëm disa vite, IPKO është zhvilluar nga një ofrues i shërbimeve të internetit në një kompani moderne e cila konsumatorëve të saj u ofron një spektër të plotë të shërbimeve të kombinuara – komunikimin mobil, fiks, shërbimet e internetit dhe televizionit kabllor digjital. Në njësinë e telefonisë mobile, IPKO është rritur me të hyra dhe pjesëmarrje të tregut, si në segmentin e bizneseve poashtu edhe në atë përdoruesve individual, dhe kjo ka qenë rezultat i marketingut të mirë dhe shërbimeve me kualitet të lartë. Me ristrukturimin e operacioneve të saj, zgjerimin e portfolios dhe kombinimin e shërbimeve cilësore për konsumatorët e saj, IPKO ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe fuqizimin e pozitës së Telekom Slovenije Group në rajon” ka thënë Rudolf Skobe, Kryetar i Bordit Menaxhues në Telekom Slovenije.
IPKO ka shënuar rritje të rëndësishme të përdoruesve edhe në shërbimet e saj fikse, ku rritja e përdoruesve të internetit dhe televizionit digjital ka arritur në 40%, që nga fillimi i vitit 2011. Dhe tani, me rinovimin e të drejtave për transmetim ekskluziv të Premier Ligës Angleze edhe për 3 vite të tjera, vlerësohet se besnikëria dhe rritja e bazës së përdoruesve do të jetë edhe më substanciale.
Të ardhurat e kompanisë janë rritur nga 65.7 milionë euro sa ishin në 2010, në 70 milionë euro në 2011, dhe kanë mbajtur nivelin e njëjtë edhe në 2012 (70 milionë euro), ndërsa të ardhurat e biznesit nga terminimi ndërkombëtar, të cilat kanë pasur ndikim direkt në EBITDA kanë rënë nga 22.6 milionë euro në 17 milionë euro për 2012. Nga operimet aktuale, EBITDA, pa efekt direkt në një periudhë, është rritur nga 21.6 milionë euro në 2010, në 27.5 milionë euro në 2011, dhe njësoj për 2012.
Performanca progresive e IPKO-së në të gjitha njësitë e saj të biznesit është realizuar në kombinim me rezultatet e përmirësuara financiare, edhe pse kompania është sfiduar jashtëzakonisht shumë nga rënia e madhe e të ardhurave nga thirrjet ndërkombëtare.