Kompania IPKO ka njoftuar se me vendim të Bordit të Drejtorëve në IPKO, Babic do të vijë në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv, që nga janari i vitit të ardhshëm, pas përfundimit të mandatit të drejtorit aktual, Z. Akan Ismaili.
Prishtinë, 18 dhjetor 2009 – Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, kompania telekomunikuese IPKO do të udhëhiqet nga drejtori i ri ekzekutiv, Branko Babic, i cili do të jetë pasardhësi i Akan Ismailit, themeluesit dhe drejtorit të deritashëm të kompanisë.
Branko Babic është një profesionist me përvojë në menaxhim të biznesit, i cili ka punuar për më shumë se 12 vjet në industri të zhvilluara dhe në kompani të ndryshme ndërkombëtare si: Telekom Slovenije Group, KPMG, TBWA, BBDO Formitas, S&T Hermes Plus etj.
Z. Babic ka përfunduar Master në Administrim Biznesi (MBA), në Universitetin e Kansas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është i specializuar në Strategji të Biznesit, Financa dhe Menaxhim të Marrëdhënieve Konsumatore, ndërsa përvoja dhe shkollimi i tij superior do t’i krijojë kompanisë telekomunikuse IPKO, një përparësi të dallueshme në tregun e telekomunikacionit në Kosovë.
Në tri vitet e fundit, Z.Babic ka qenë i përfshirë në procesin e Përvetësimit dhe Bashkimit Korporativ brenda Grupit të Telekom Slovenije, angazhim i cili është dëshmuar të jetë si faktor kyç për shndërrimin e grupit në një gjigant të industrisë së Telekomunikacionit i cili është prezent në Evropën Juglindore dhe Mesdhe.
Në anën tjetër, Akan Ismaili do të vazhdojë të mbetet në kompaninë IPKO. Në marrëveshje të plotë me Bordin e Drejtorëve në IPKO, Akan Ismaili do të jetë Anëtar i Bordit të Drejtorëve në kompaninë IPKO, prej nga do të kontribuojë për rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë.
Kompania telekomunikuese IPKO, njihet si kompania e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. E themeluar më 1999, IPKO është zhvilluar suksesshëm – nga ofruesi i parë i internetit në mbarë Kosovën – në një ndërmarrje moderne, që ofron spektër të plotë shërbimesh dhe përmbajtjesh të integruara në telefoni mobile, telefoni fikse, televizion kabllor digjital, dhe internet.