Kompania telekomunikuese IPKO sot ka shënuar edhe një rekord në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve inovative për konsumatorë. Të mërkurën, kompania telekomunikuese IPKO, ka shpërblyer konsumatorin e 10.000-të të televizionit digjital kabllor.
Prishtinë 25 Mars 2009 – Kanë mjaftuar vetëm nëntë ditë pune, që kompania IPKO të përfitojë 10.000 konsumatorë me ofertën e saj të televizionit digjital kabllor.
Zenel Zhinipotoku nga Prishtina, ka qenë konsumatori me fat i cili është befasuar këndshëm kur zyrtarët e kompanisë e kanë njoftuar se ai është konsumatori i 10.000 i shërbimit të televizionit digjital kabllor, të cilin kompania IPKO e ofron në bashkëpunim me platformën e mirënjohur televizive DigitAlb.
“Kompania IPKO sigurisht është lider në shërbimin konsumator, pasi që shërbimin të cilin kjo kompani e ofron është i shkëlqyeshëm. Unë jam i nderuar të fitoj këtë shpërblim, siç është një konsolë Nintendo Wii dhe një marrës digjital, i cili do ta befasojë këndshëm vajzën time të vogël, Enea”, tha ai.
Kompania telekomunikuese IPKO, që nga 16 marsi ka kaluar nga transmetimi televiziv analog në atë digjital. Në bashkëpunim me platformën DigitAlb, konsumatorët e IPKO Digital TV do të kane mundësi që të kënaqen me ofertën më të mirë në treg te programeve informuese, argëtuese, filmave, sportit, muzikës etj.
“Pako e televizionit digjital kabllor të cilën po e ofrojmë është oferta më atraktive në treg, duke e pasur parasysh përmbajtjen, sinjalin cilësor dhe risitë që i ofron ajo. Mirëpo, kjo e arritur është vetëm pikënisje e të gjithë ofertave atraktive të cilat do t’ia ofrojmë konsumatorit të IPKO’s” tha Shpend Jakupi, Drejtor Komercial në IPKO.
IPKO ofron shërbime telekomunikimi të telefonisë mobile, internetit dhe të telefonisë fikse si dhe të televizionit kabllor. Të tri këto shërbime janë të licencuara nga autoritete përkatëse.