Ipko Net e ka bërë planifikimin dhe zbatimin e sistemit të komunikimit Online për pikat shitëse të kompanive të sigurimit anembanë Kosovës.
Sistemi Online mundëson komunikimin e secilës kompani të sigurimit dhe pikave shitëse me Serverin Qendror në mënyrë që të mundësojë lëshimin e centralizuar të TPL polisave të sigurimeve. Në këtë server ruhen shënimet e klientëve dhe kështu eliminohet mundësia për keqpërdorim të polisave. Këtë lidhje Ipko Net e ka realizuar duke krijuar rrjete VPN (Virtual Private Network) për secilën kompani. Sistemi është i dizajnuar për përdorim të lehtë.
Faza e parë e zbatimit ka qenë lidhja e qendrave të kompanive me sistemin qendror, ndërsa faza e dytë ka qenë lidhja e filialeve të kompanisë me qendrat e tyre.
Deri sot, Ipko Net ka përfunduar kyçjen e më shumë se 250 pikave. Në këtë numër janë të përfshira edhe degët/filialet e kompanive. I tërë projekti është përfunduar për më pak se dy muaj.
Qendra e regjistrimeve është pikë shumë e rëndësishme në këtë projekt. Ipko Net ka krijuar lidhjen e qendrave në rrjet në mënyrë që të mundësojë kyçjen e autoriteteve në sistem. Në këtë mënyrë, aksesi në informata do të jetë i shpejtë, i lehtë dhe do të mundësojë raportime më të sakta dhe më të shpejta.
Procedurat dhe teknologjia
Së bashku me ekspertët IT të kompanive, janë definuar pikat shitëse për t’u kyçur në sistem. Secila pikë shitëse duhet të kishte një modem kabllor kurse enkriptimi është siguruar me instalim të PPTP protokollit (softuer në secilin kompjuter).
Ipko Net operon me rrjet që ka teknologji mikrovalore në frekuenca të licencuara (3.5 GHZ) dhe mbulon mbi 80 për qind të territorit të populluar të Kosovës. Ipko Net garanton 24 orë lidhje komunikimi, me komunikim të enkriptuar, dhe më së paku 99.5 për qind garanci në disponueshmëri. Këto janë vetëm disa nga përparësitë e Ipko Net-it, që i kanë mundësuar ta realizojë Sistemin Online për kompanitë e sigurimeve.