Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) njofton se pas një pune të gjatë dhe intenzive është përzgjedhur kompania fituese, e cila do t’a bëjë të mundur implementimin e Bartshmërisë së numrave për ofruesit e shërbimeve të telefonisë mobile dhe fikse. Kompania fituese është konzorciumi PXS&Botek.

Në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Rregulloren Nr. 58 (Ref. Nr.Prot.113/B/22) për Bartshmërinë e Numrave për parapaguesit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike, neni 14.2, më datë 05 Qershor, 2023 ARKEP ka publikuar aktivitetin “Request for Proposals to provide a Number Portability Administration Service for Kosovo” (RFP) në emër të Operatorëve, dokument ky i cili është hartuar dhe finalizuar nga grupi punues i ekspertëve për bartshmëri të numrave (NPWG). Dokumenti i RFP për ofrimin e Bartshmërisë së numrave ofron informacione të detajuara për kërkesat teknike dhe operacionale për të mundësuar ofrimin e shërbimit të administrimit të Bartshmërisë së numrave në Kosovë.

Procesi për dorëzim të ofertave ka qenë i hapur deri me 19 Korrik 2023 dhe numri i ofertave të pranuara gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë tre (3).

Vlerësimi i ofertave dhe përzgjedhja e fituesit është bërë nga nje komision i krijuar me pjesëmarrje të operatoreve Telekomi i Kosovës sh.a. dhe IPKO Telecommunications LLC, përderisa ARKEP ka mbikëqyrur procesin në përputhje me dispozitat e përcaktuara në Rregulloren nr.58 për bartshmërinë e numrave.

Qëllimi i publikimit të këtij aktiviteti dhe i rregullores për bartshmëri të numrave është garantimi dhe implementimi i bartshmërisë së numrave nga të gjithë operatorët, të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike mobile dhe/ose fikse si dhe krijimi i kushteve më të mira për rritjen dhe mbrojtjen e konkurrencës.

Me implementimin e bartshmërisë së numrave do të bëhet e mundur vendosja e njërit nga mekanizmat më të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës efektive në treg si dhe avansim të theksuar në realizimin e të drejtës së konsumatorit për bartjen e numrit dhe ofrimin e shërbimeve më të mira në përgjithësi.

Implementimi i bartshmërisë së numave ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Europian (BE) përmes Raportit të progresit dhe konkluzioneve të nën-komitetit për inovacion, shoqëri të informacionit dhe politikave sociale për zbatimin e MSA-së.

Regulatorni Organ Za Elektronske I Poštanske Komunikacije (arkep-rks.org)

Prishtinë,

Datë: 05 Dhjetor, 2023

Përshëndetje! Si mund të ju ndihmojmë?